Ballkani sot do të zhvillojë duelin e raundit të tretë të fazës grupore të Ligës së Konferencës për edicionin 2023-24.
‘Portokallinjtë’ do të mirëpresin në “Fadil Vokrri” kampionin e Kazakistanit, Astana, me fillim nga ora 18:45.
Suharekasit vijnë pas një fitore ‘historike’ ndaj gjigantit kroat, Dinamo Zagreb, të arritur më 5 tetor, ku triumfuan 2-0.
Ajo fitore ngriti Ballkanin në pozitën e dytë në tabelë, me pikë të barabarta me Dinamo Zagreb e cila ndodhet në pozitën e tretë, kurse skuadra çeke, Viktoria Plzen, renditet e para me dy fitore pas dy xhirove të para, me 6 pikë të mbledhura.
Tempulli i emrit të ikonës kosovare të sportit “Fadil Vokrri” është bërë tani një “makth” për shumë skuadra kampione të vendeve të ndryshme, duke dalur kokëulur nga ky stadium, shkruan Sinjali Sporti.
Ballkani tashmë regjistron një bilanc 100% të fitoreve në garat evropiane këtë sezon, duke i fituar të gjitha 5 ballafaqimet e deritashme.
Këtë rrugëtim, Ballkani fillimisht e nisi në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur kampionin bullgar, Ludogorets.
‘Portokallinjtë’ triumfuan në “Fadil Vokrri” ndaj tyre me rezultat të pastër 2-0. Sidoqoftë, Ballkani u mposht dëshpërimisht në ndeshjen kthyese në Bullgari, çka bëri që klubi portokalli t’i vazhdojë kualifikimet në garën e Ligës së Konferencës, për edicionin e dytë me radhë.
Në ndeshjen e parë në këtë garë, Ballkani u përball me kampionin e Irlandës Veriore, FC Larne, aty ku e mposhti me rezultat të thellë 3-0, duke fituar gjithashtu edhe atë si mysafir (4-1).
Pas kualifikimit për më tej, shorti skuadrën suharekase e vendosi përballë skuadrës nga Gjibraltari, të cilën Ballkani e mposhti pa probleme 2-0 në “Fadil Vokrri”, gjithashtu duke e mposhtur edhe në ndeshjen kthyese më pas si mysafir 3-1.
Në fazën e fundit të Play-Off të Ligës së Konferencës, Ballkani luajti ndaj skuadrës bjelloruse me përvojë, BATE Borisov, aty ku triumfoi me rezultat 4-1, me ndeshjen kthyese që suharekasit e humbën me rezultat 1-0, por që nuk kishte ndonjë vlerë, pasi Ballkani u kualifikua në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, duke shkruar historinë për edicionin e dytë me radhë.
‘Ajka’ e kësaj serie të jashtëzakonshme në terrenin “Fadil Vokrri” sigurisht se erdhi ajo e 5 tetorit ndaj Dinamo Zagreb, ku klubi kroat u gjunjëzua ndaj Ballkanit duke u mposhtur 2-0.
Kësisoj, Ballkani vazhdoi serinë e suksesshme, me të gjitha fitoret në Prishtinë këtë Evropë.
Të njëjtën gjë ata shpresojnë që ta bëjnë edhe sonte ndaj Astanas, në mënyrë që të rrisin gjasat e tyre drejt një kalimi historik potencial në fazën eliminuese të Ligës së Konferencës.