Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në rrugën ‘Ismail Raka’ në Kaçanik, ku një person ka mbetur i plagosur rëndë për shkak të therjes me thikë nga disa persona. Të dyshuarit kishin arritur që të ikin nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima ishte dërguar me urgjencë në spital.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të dyshuarit të identifikohen dhe të njëjtit janë arrestuar.
Pesë të dyshuarit që ranë në prangat e Policisë dyshohen se kanë marrë pjesë në një rrahje, ku kanë sulmuar fizikisht viktimën, të cilin më pas njëri nga të miturit dyshohet se e ka therur me thikë duke i shkaktuar atij lëndime trupore.
I mituri i cili dyshohet se përdori mjetin e mprehtë gjatë përleshjes, është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa tre të dyshuar tjerë që morën pjesë në rrahje janë lënë në liri.
Në mbajtje për 48 orë është dërguar edhe një 21-vjeçar, ndaj të cilit Prokuroria ka nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se viktima është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, mirëpo i njëjti po vazhdon trajtimin mjekësor nën përkujdesjen e stafit shëndetësor.’