image Bie numri i azilkërkuesve kosovar në shtetet e BE-së

Bie numri i azilkërkuesve kosovar në shtetet e BE-së

news image

Në vitin 2019 në Bashkimin Evropian janë regjistruar 31.030 azilkërkues nga Ballkani Perëndimor. Vetëm nga Kosova janë regjistruar 2.355 azilkërkues.

Kështu ka bërë të ditur Instituti EPIK në publikimin për trendet e fundit në lidhje me numrin e kërkesave të azilit në BE.

“Sa i përket Kosovës, në vitin 2019 në BE janë regjistruar gjithsej 2,355 azilkërkuesit. Ky është niveli më i ultë historik i azilkërkuesve nga Kosova. Tre vende të BE-së të cilat kanë pranuar numrin më të madh të kërkesave për azil nga Kosova janë: Franca (1,510), Gjermania (415) dhe Suedia (120)”.

Sipas institutit EPIK, ky është niveli më i ulët historik i azilkërkuesve nga Kosova.

“Ky është niveli i ri më i ulët i azilkërkuesve nga Ballkani qysh nga kriza e migrimit e vitit 2015.Tre vende të BE-së të cilat kanë pranuar numrin më të madh të kërkesave për azil nga Ballkani Perëndimor janë: Franca (8,010), Mbretëria e Bashkuar (3,940) dhe Greqia (2,795)”.

Edhe pse, sipas këtij publikimi, përveç Shqipërisë, të gjitha vendet e Ballkanit kanë regjistruar rënie të numrit të kërkesave të azilit brenda BE-së.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë regjistruar rënie të numrit të kërkesave të azilit brenda BE-së, përveç Shqipërisë. Në vitin 2019 në BE janë regjistruar gjithsej 20,500 azilkërkuesit nga Shqipëria. Kjo është sa numri i azilkërkuesve nga i gjithë rajonit – shumëzuar me dy. Për krahasim, vendet sikur Palestina dhe Sudani rangohen më mirë se Shqipëria, ndërsa Shqipëria rangohet margjinalisht më mirë se Irani dhe Nigeria”, thuhet në publikimin e institutit.

Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve prej 196,405, ndërsa Mali i Zi me numrin më të vogël prej 10,665.

Poashtu potencohet se tre vende të BE-së të cilat kanë pranuar numrin më të madh të kërkesave për azil nga Ballkani Perëndimor janë: Gjermania (85,515), Franca (49,895) dhe Mbretëria e Bashkuar (17,815).

Në kuadër të publikimit “Azilkërkuesit në BE nga Ballkani Perëndimor 2009-2019” janë përdorur të dhënat e EUROSTAT-it./GazetaSinjali/