Pas arrestimit të një nga rrëmbyesve të 22-vjeçarit në orët e para të së enjtes në Prishtinë, Policia tashmë ka arritur ta kap edhe personin që dyshohet se e urdhëroi rrëmbimin e të riut. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 25-vjeçarin R.C.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari që tashmë ka rënë në prangat e Policisë, po ia kërkonte viktimës mijëra euro që ia kishte dhënë në huazim.
Sinjali ka mësuar se 25-vjeçari dyshohet se ka planifikuar rrëmbimin e të riut, pasi fillimisht kishte lënë takim me të. I riu doli për ta pritur të dyshuarin, por atë e morën me forcë tre persona dhe e futën në një veturë.
Viktima dyshohet se është sulmuar fizikisht nga rrëmbyesit, të cilët po ashtu e kanë mbajtur për orë të tëra dhe gjatë kësaj periudhe i kanë bërë presion në lidhje me borxhin prej 3500 eurove që kishte ndaj të dyshuarit kryesor.
Përveç 25-vjeçarit, tashmë në prangat e Policisë është edhe njëri nga rrëmbyesit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ata janë ndaluar për 48 orë dhe do të hetohen për tri vepra penale “Rrëmbim”, “Detyrim” dhe “Lëndim trupor”.