image Biden: Shtetasit amerikanë të largohen nga Ukraina

Botë

Biden: Shtetasit amerikanë të largohen nga Ukraina

news image

Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë, të largohen nga ky shtet menjëherë, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.

“Shtetasit amerikanë duhet të largohen tani”, ka thënë Biden për NBC News.

“Ne po përballemi me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Është situatë krejt ndryshe dhe gjërat mund të përshkallëzohen shpejt”.

I pyetur nëse ekziston një skenar që mund ta shtyjë atë të dërgojë trupa ushtarake për t’i shpëtuar amerikanët, Biden ka thënë se nuk ka.

“Bëhet luftë botërore kur amerikanët dhe rusët nisin të shtëna ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi në një botë krejt ndryshe prej asaj që kemi qenë”.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht se ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit.

Ndërkohë Rusia ka nisur edhe stërvitjet masive ushtarake me shtetin fqinj, Bjellorusinë.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokim të qasjes në det.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dymtro Kuleba, ka thënë se Deti Azov është bllokuar plotësisht dhe Deti i Zi është mbushur me forca ruse.

Stërvitjet detare të Rusisë nisin javën e ardhshme në dy detet në jug të Ukrainës.

Rusia ka lëshuar paralajmërime se do të ketë gjuajtje me raketa dhe armë tjera gjatë stërvitjeve.

Moska ka thënë se nuk mund ta pranojë që Ukraina – ish-republikë sovjetike me lidhje të forta socio-kulturore me Rusinë – t’i bashkohet një ditë NATO-s dhe ka kërkuar që kjo të mos ndodhë ndonjëherë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të enjten se Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekada për shkak të këtyre tensioneve.

Liderët botërorë vazhdojnë të deklarohen se diplomacia duhet të shërbejë për ulje të krizës rreth Ukrainës./REL

/GazetaSinjali/