image Biden kritikon Trumpin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Biden kritikon Trumpin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

news image

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, ka deklaruar për pozicionin e tij lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, qasja e administratës së presidentit Donald Trump ishte e gabuar, pasi nuk pati koordinim me Bashkimin Evropian.

“Trump nuk arriti të koordinohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian, që ka ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për gati një dekadë, kur organizoi takimin në Shtëpinë e Bardhë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar. Takimi megjithatë u anulua, por mesazhi për partnerët tanë ishte i qartë dhe i fortë. Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë bashkë me partnerët tanë evropianë dhe jo t’ua kthejmë kurrizin. Kjo është shpresa jonë më e mirë për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme që do të hapte rrugë drejt një të ardhmeje më paqësore, më të begatshme dhe evropiane për të dy vendet”, ka thënë Biden, siç raporton gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”.

Biden, gjithashtu ka theksuar se pozicioni i tij është mbështetës i sjelljes së paqes në Evropën Juglindore.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila sjell njohjen reciproke, ruan sovranitetin dhe integritetin territorial e të dy vendeve, është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara”, ka thënë Biden./ Gazeta Sinjali/