Mediat beogradase kanë pretenduar se baza e ushtrisë së Serbisë në Rashkë është vëzhguar nga dronë të vegjël komercial, e të cilët mund të jenë në dispozicion të FSK-së. Kjo ka nxitur reagime edhe nga Qeveria e Serbisë.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe ministri i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq kanë akuzuar autoritetet e Kosovës lidhur me këtë veprim.
“Ashtu është, dronët filmuan një pozicion në Zonën e Sigurisë Tokësore dhe dy kazerma. Për këtë jam informuar nga Presidenti i Republikës dhe ka dhënë urdhër që të forcohet mbrojtja në ajër, e cila tashmë është një gjendje e përhershme. Nëse kjo ndodh përsëri, ne do të rrëzojmë të gjithë dronët. Nuk do të jepja më shumë informacion, presidenti do të thotë më shumë për këtë”, ka thënë Bërnabiq.
Nga ana tjetër, ministri Vuçeviq ka thënë se dronët kanë spiunuar pozicionet e njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe objekte të caktuara ushtarake.
“Nuk mund t’ju them se të kujt janë dronët, por mund t’ju them se vijnë nga territori i Kosovës. Do të thosha se e gjithë kjo ndodh në kuadër të mbikëqyrjes, kontrollit, përpjekjeve për të monitoruar aktivitetet e Forcave të Armatosura të Serbisë, në territorin që është nën kontrollin tonë. Është krejt e natyrshme që Forcat e Armatosura të Serbisë të kenë programin e tyre të punës, të veprojnë sipas udhëzimeve dhe urdhrave të Komandantit të Përgjithshëm, të kemi në vazhdimësi stërvitje në shkallë të gjerë, nga veriu në jug, Manovra 22. Pres që presidenti nesër të vizitojë një pjesë të njësive në Pasuljnski Livada dhe të sigurojë se si po shkojnë stërvitjet ushtarake”, u shpreh ai./N1/