image Berishaj në deklarimin e pasurisë nuk e kishte raportuar biznesin në Mal të Zi

Politikë

Berishaj në deklarimin e pasurisë nuk e kishte raportuar biznesin në Mal të Zi

news image

Ambasadori kosovar në Slloveni, Martin Berishaj dyshohet se është përfshirë në një skandal financiar në këtë shtet.

Ai dyshohet se ka përfituar 600 mijë euro nga një kompani serbe, mirëpo Berishaj në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, nuk e kishte deklaruar fare biznesin në Mal të Zi.  

Kjo vërtetohet edhe nga regjistri i tij në AKK për vitin 2022, ku kompania M Consulting nuk figuron fare.

Krejt çka ka të deklaruar Berishaj, është një shtëpi, dy banesa, një tokë dhe dy vetura.

Të enjten vonë, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme. Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Kompania private MB Consulting në Mal të Zi ka lidhur një marrëveshje. Bëhet fjalë për dërgesa mujore të parave prej pesë mijë deri në 55 mijë euro, që në total janë më shumë se gjysmë milioni euro para të gatshme të derdhura në xhirollogarinë e MB Consulting nga dega për Serbi e GEN-I. U vërtetua se kjo kompani ishte themeluar vetëm dhjetë ditë para transfereve të para nga GEN-I Beograd.

Një burim i mediumit zbuloi se pothuajse të gjitha paratë në formën e tërheqjes së parave të gatshme janë tërhequr nga llogaria e MB Consulting. Pronari i MB Consulting dhe i vetmi punonjës, Martin Berishaj, e ka arsyetuar këtë në organet tatimore të Malit të Zi me një marrëveshje kredie që ka lidhur me kompaninë e tij. Pjesën e parave prej 197 mijë e ka tërhequr nga llogaria e tij personale, ndërsa pjesën tjetër të parave, gati 320 mijë euro, e ka tërhequr si pagesë fitimi nga një llogari biznesi, raportoi Planet TV.

Burimi që ka siguruar dokumentacionin për mediumin slloven ka thënë se janë informacione që janë shkëmbyer mes shërbimeve të ndryshme të inteligjencës gjatë hetimit financiar. Ata dyshohet se e kanë njohur Berishajn si një nga njerëzit që i ka çuar paratë te Golobi.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka quajtur shpifje akuzat se ai është i përfshirë në një skandal financiar i zbuluar në Slloveni nga mediat atje se ai ka bartur para rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, Robert Golob.

Ai ka thënë se mediumin i cili publikoi shkrimin do ta padisë, duke shkruar se duhet të mbrohet drejtësia dhe e vërteta, “përndryshe shpifjet bëhen normale”.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes të akterëve kryesorë politik i z. Jansa dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet Tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, shkroi ai të premten në Facebook.

/GazetaSinjali/