Futbollistët e Kosovës kanë përfunduar me humbje kualifikimet për evropianin 2020 në kuadër të grupit A.
Anglia sonte në “Fadil Vokrri” ishte dukshëm më e mirë, kjo u tregua në terren duke shënuar katër gola në portën e Aro Muric.
Pas ndeshjes, Valon Berisha u shpreh se Kosova ka zhvilluar një ndeshje të mirë, por Anglia është kjo, çdo rast që i jepet arrin të shënoj gol.
“Kemi luajtur një lojë jo të keqe. Kemi luajtur mirë, kemi guxuar, kemi qarkulluar topin, kemi krijuar edhe raste të mira ndoshta edhe për të shënuar gol, pak edhe pa fat, por në moment e kemi ditur se çdo gabim, ata janë një ekip superfuqi dhe kanë lojtar që luajnë në Premier League, javë për javë, si të ju japësh rastin, gola shënohet. Por ma merr mendja se deri në minutën e 70-të, kemi tregu një lojë shumë të mirë, kemi tregu një Kosovë tjetër nga loja e kaluar ndaj Çekisë, ajo ke me rëndësi për ne por normal që kemi pasur dëshirë për një rezultat më të mirë”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu tha se lojtarët e Kosovës duhet të marrim mësim nga ndeshja ndaj Çekisë, ndeshje kjo e cila sipas tij është më e dobëta e Kosovës, dhe nuk duhet të përsërit ndaj Maqedonisë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.
“Mësimi duhet të merret nga ndeshja ndaj Çekisë, këtë lojë e kemi ditë që ka me qenë vështirë. Mirëpo kemi treguar se kundër një superfuqie si Anglia ma merr mendja që vetëm Kosova qysh kemi lujtur ne, këto ekipet tjera që janë në grup që ndoshta janë edhe më të forta se në, nuk kanë mundur kurrë të luajnë si ne, me qarkullo topin si ne, edhe kemi krijuar raste shumë të mira, por golat kanë munguar”, tha Berisha.
Kosova me këtë humbje mbetet e treta në grup dhe do të tentojë të kualifikohet në kampionatin evropian në kuadër të gjysmëfinales së playoffit të Ligës së Kombeve ku do të ndeshet me Maqedoninë e Veriut në pranverën e vitit të ardhshëm. /Gazeta Sinjali/