Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka thënë se iniciativa e bashkëpunimit rajonal i nisur nga Rama dhe Vuçiq, e njohur si Mini-Shengeni, e cila po mbështetet edhe nga Zaev, është destabilizuese për Ballkanin.
Sipas Berishës, kjo aleancë trilaterale nuk i shërben paqes në Ballkan, por nxit fantazmat e vjetra dhe rivalitete të panevojshme, raporton Gazeta Sinjali.
Ish-kryeministri Berisha thotë se pasardhësi i tij në këtë pozitë, Edi Rama, po përdoret nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për të “kapur autoritetet e Kosovës”.
“Edi Rama po përdoret nga Aleksandar Vuçiq për të kapur autoritetet e Kosovës me të cilat [Vuçiq] nuk po mund të merret vesh”, tha ai.
Berisha thotë se në Washington Kosova dhe Serbia u paraqiten si të barabarta derisa, sipas tij në Mini-Shengen, këto shtete nuk po paraqiten të barabarta.
Berisha ka thënë se nuk do të ishte kundër Mini-Shengenit nëse ajo të do ishte e barabartë për të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
“Nëse nuk është Mali i Zi, Bosnja, Kosova, me Mini-Shengenin po krijohet një aleancë politike trilaterale karshi vendeve tjera e më së shumti aleancë kundër Kosovës. Vuçiqi nuk e pranon Kosovën si të barabartë mes të barabartëve”, tha ai në Dukagjin.
Lideri historik i PD-së në Shqipëri thotë se Ballkani e ka provuar hegjemoninë e Serbisë.
“Kurti nuk ka kërkuar asgjë më shumë se barazi mes shteteve”, tha ndër të tjera Sali Berisha./Gazeta Sinjali/