Deputetja Fitore Pacolli, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, ka bërë thirrje që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave në Kosovë, meqë sipas saj, në raportin e Parlamentit Evropian thuhet që “kohëve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media“.
Lidhur me deklaratën e saj, ka reaguar avokati Besnik Berisha, përmes një statusi në Facebook.
Sipas tij, në atë vend ku pushteti vendos “dorën” e kontrollit mbi mediat, vuajnë qytetarët ndërsa përfitojnë pushtetarët, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndërsa e tëra kjo, siç e quan Berisha fjalim “dashamirës”, po i ngjason me periudhën e diktatorit Enver Hoxha, atëherë kur fjala e lirë censurohej e ndëshkohej.
“Imagjinojeni kohën e xhaxhi Enverit, për të mos thënë këtë të Kim Jong-un dhe mund ta dëshifroni këtë fjalim “dashamirës” për mediat!“, ka shkruar avokati Berisha.
Ai tutje në shkrimin e tij, shtoi se dëshiron të besojë se fjala e lirë dhe liria e mediave nuk do të kontrollohen.
“Po dua të besoj që nuk e ka nem Zoti aq keq këtë vend që soji i komunistëve në mendje e zemër, me kontrollu edhe fjalën e lirë edhe lirinë e mediave”, ka përfunduar shkrimin e tij Berisha.