image Beqiri rreth kërkesës për dorëheqjen e tij: Po më shantazhojnë 10 individë, nuk do të rrija asnjë minutë nëse vendos kryesia

Politikë

Beqiri rreth kërkesës për dorëheqjen e tij: Po më shantazhojnë 10 individë, nuk do të rrija asnjë minutë nëse vendos kryesia

news image

Kryetari i Degës së Parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Ismet Beqiri, ka folur për kërkesën që kjo degë e bëri për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.

Beqiri në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se kjo kërkesë është bërë në kafene nga dhjetë individë të cilët, sipas tij, nuk e përfaqësojnë kryesinë e kësaj dege.

Sipas tij, ky është një lloj shantazhimi i atyre personave ndaj tij për ambicie të tyre.

“Ajo nuk është kërkesë e degës tonë sepse degën e parë e udhëheq unë. Unë jam kryetar i degës dhe unë i thërras mbledhjet. Ai është një takim i disa individëve që së paku dhjetë nuk janë në kryesi hiq, janë qytetarë që i kanë thirr familjarë të vet dhe dega dhe partia kanë rend dhe rregull. Unë do ta thërras mbledhjen këto ditë dhe do ta analizojmë rezultatin dhe secilin vendim që do ta merr dega unë i përshtatem, e pranoj.”

“Ky është një lloj shantazhimi i disa individëve për ambicie të veta. Unë jam zgjedhur kryetar i degës në kuvendin zgjedhor në qershor të 2019, me 88 vota për dhe asnjë kundër. Sa i përket rezultatit zgjedhor, të gjithë jemi të pakënaqur në LDK dhe sigurisht nuk mund të mos them se nuk kemi përgjegjësi, edhe unë si kryetar i degës, kryetarët e nëndegës. Por, për këtë do të ulemi dhe do të diskutojmë, cilido që të jetë vendimi i strukturave të Lidhjes unë do ta pranoj, por në asnjë rrethanë nuk e pranoj që të shantazhohem, të kushtëzohem në formën e tillë që e kanë bërë disa individë duke pirë kafe”, tha Beqiri për Sinjalin.

Beqiri tha se është i gatshëm të japë dorëheqje nga kjo pozitë, nëse një gjë e tillë i kërkohet nga kryesia e kësaj dege.

“Po, patjetër. Nëse kryesia vendos, unë jam i përgjegjshëm, unë asnjë minutë nuk rri nëse e kërkon kryesia e degës, por problemi është se kryesinë nuk e përfaqësojnë dhjetë vetë, nëse kryesia i ka 47 vetë, kështu kjo është shumë e qartë”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/