Dështon plani/ “Bentley” i Morena Tarakut i kthehet pronarit të cilit i ishte vjedhur në Gjermani

news image

Vetura “Bentley” të cilën këngëtarja Morena Taraku mendoi se e përvetësoi duke tentuar ta fuste si të re në Kosovë, është kthyer në Gjermani.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se vetura në vlerë prej 250 mijë eurosh dje i është kthyer pronarit.

“Bentley”, të cilin Morena tentoi ta fuste në Kosovë duke i ikur pagesës së doganës, u kthye në një super skandal për këngëtaren. Vetura ishte raportuar si e vjedhur në Gjermani. Për këtë, Policia gjermane e kishte vënë veturën në kërkim ndërkombëtar.

Për “Bentleyn”, ata kishin kontaktuar me Policinë e Kosovës, të cilët e sekuestruan veturën më 29 tetor të vitit të kaluar.

Gazeta Sinjali kishte siguruar edhe një dokument, përmes së cilit dyshohet se ajo kishte tentuar ta fuste në Kosovë veturën “Bently” pa paguar asnjë cent gjatë importimit.

Në dokument thuhet se pagesa prej 235 mijë eurove do të kompensohej me anë të reklamimit nga Morena Taraku, ndërsa nëse një gjë e tillë nuk bëhet deri në vitin e ardhshëm, atëherë duhet të kryhet pagesa.

“Bazuar në një parapagim shuma prej 235.000 euro do të kompensohet me marketing nga Morena Taraku për kompaninë tonë ose do të paguhet vitin e ardhshëm”, thuhej në dokumentin e paraqitur nga këngëtarja.

Me anë të këtij dokumenti ajo kishte tentuar t’i bindte organet e shtetit se vetura është në pronësi të saj. Ajo e kishte prezantuar veturën si të re para Doganës së Kosovës, gjë që me kodin doganor do ta shpëtonte nga pagesa prej 14 mijë e 118 euro. Por, Dogana e Kosovës më pas kishte konfirmuar se “Bently” i Morena Tarakut kishte 2 mijë e 194 kilometra të kaluara dhe regjistrim të rregullt në Gjermani. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin