image Befason Kollçaku: Qeverisim vetëm me LDK-në

Zgjedhjet/ Befason Kollçaku: Qeverisim vetëm me LDK-në

news image

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka deklaruar se partia e saj përjashton çfarëdo mundësie të lidhjes së një koalicioni paszgjedhor me cilindo subjekt i cili ishte pjesë e qeverisë “Haradinaj”. Rrjedhimisht, sipas saj, partneri i vetëm për koalicion mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndonëse ka dështuar arritja e një koalicioni parazgjedhor mes dy partive opozitare në legjislaturën e kaluar, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), një bashkëpunim në mes të dyja partive mund të ndodhë pas zgjedhjeve të 6 tetorit nëse LDK-ja e pranon liderin e LVV-së Albin Kurtin për kryeministër të qeverisë së ardhshme.

Kështu ka deklaruar nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku, e cila në një intervistë për “Zërin” ka thënë se partia e saj ka vija të kuqe për partitë, të cilat ishin pjesë e qeverisë së kaluar.

“Një bashkëpunim mes opozitës së legjislaturës së kaluar mbetet më i natyrshëm, sepse do të ishte jo e drejtë për ne të lidhnim koalicion me dikë që ka udhëhequr ose ka keqqeverisje në këtë mandat dhe të dalim të kërkojmë votën e qytetarëve me një subjekt, i cili ka qenë deri më tani në pushtet. Kështu që bashkëpunimi opozitar është shumë i logjikshëm dhe i natyrshëm”, ka deklaruar ajo.