Bebe Rexha i ka postuar disa video para nisjes drejt Shqipërisë, ku do të qëndrojë për ta përcjellë nga afër situatën e krijuar pas tërmeteve atje, si edhe t’i dërgojë fondet e grumbulluara për t’i ndihmuar të prekurit.
Pas koncertit të përfunduar në Baltimore, ajo ka udhëtuar drejt New Yorkut, nga ku është nisur për në Shqipëri. Këngëtarja ka vetëm një ditë kohë për të qëndruar në Shqipëri, pasi që duhet të kthehet për të mbajtur një koncert në Chicago.
Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, 30-vjeçarja ka folur në lidhje me udhëtimin drejt vendit amë dhe për qëllimet e saja atje.
“Objektivi im për këtë udhëtim është që të ngre vetëdijen përmes mediave në gjithë botën dhe të siguroj më shumë ndihmë për vendin dhe të gjej zgjidhjen më të mirë për paratë që i kemi grumbulluar , në mënyrë që të përdoren në mënyrën më të mirë”.
“Ndoshta do të ndërtojmë një shtëpi ose dy, nuk e di, do të shohim sa kushton dhe dua t’i vë në duart e duhura”, është shprehur këngëtarja në një xhirim të publikuar në InstaStory.
Përmes disa videove të publikuara, ajo ka treguar se ka marrë me vete edhe ca dhurata për fëmijët./Gazeta Sinjali/