Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha ka mbërritur së bashku me të atin në fshatin Bubq të Shqipërisë për t’i ardhur personalisht në ndihmë të prekurve nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Bebe u shpreh për mediat se qëllimi i vizitës së saj është të ndërgjegjësojë opinionin ndërkombëtar, si dhe të gjejë zgjedhjen më të mirë të mundshme me shumën e parave të mbledhura, duke ndërtuar dy shtëpi për dy familje të prekura nga tërmeti. Ajo u shpreh gjithashtu se pavarësisht famës, i mbetet besnike gjakut dhe origjinës.
“Pavarësisht se sa famë kam fituar, pavarësisht ku unë shkoj, kurrë s’do harroj se nga vij dhe që kam gjak shqiptari; e di që jemi të fortë, jemi djemtë dhe vajzat e Nënë Terezës dhe do kujdesemi për njëri-tjetrin. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm , unë e dua vendin tim. Pavarësisht se nga cila sferë e jetës vini, është shumë e rëndësishme që të ndihmoni, këta janë vëllezërit dhe motrat tona. Ndaj doja të vija sot, ta ndjeja, ta shihja me sytë e mi, jam e lumtur që jam këtu. Zemra më thyhet i kur shoh këta njerëz”, tha Bebe Rexha.
Këngëtarja shqiptare duket se ka menduar edhe për fëmijët, pasi tregon në një video në “Instagram” një valixhe të mbushur plot e përplot me karamele. Risjellim në vëmendje se përmes “GoFundMe”, Bebe Rexha ia doli që brenda pak ditëve të mblidhte 100 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti me magnitudë 6.4 ballë.