Brukseli vlerëson se deklarata e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për ndryshimet e nevojshme kushtetuese është keqinterpretuar.
Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano tha se duhet bërë dallimi mes asaj që është “perception dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga zoti Lajçak”.
“Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano për REL.
Të enjten, më 15 tetor, në konferencën për media në Beograd, Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”.
Një deklaratë e tillë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Kur bëhet fjalë për Asociacionin, brenga kryesore është te kompetencat të këtij organi.
Por, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano tha se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar.
Ai iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016, ku ajo kishte hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë. /Gazeta Sinjali/