Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë vendosjen e një ndalimi për importin e produkteve që vijnë nga vendbanimet izraelite, pas presionit të disa shteteve anëtare për të ndërmarrë masa.
Sipas agjencisë AFP, diplomatët kanë bërë të ditur se debati që do të zhvillohet të hënën në Bruksel nuk pritet të sjellë vendime konkrete, por do të shërbejë për të vlerësuar nëse ekziston mbështetje e mjaftueshme për të ecur përpara me këtë nismë.
Komisioni Evropian ka paraqitur këtë javë disa opsione për kufizimin e tregtisë me vendbanimet izraelite, ndër to edhe ndalimin e importeve. Megjithatë, në Bruksel ka mospajtime nëse një masë e tillë kërkon miratimin unanim të të 27 shteteve anëtare apo mjafton një shumicë e cilësuar.
Disa vende të BE-së, përfshirë Irlandën, Holandën dhe Spanjën, kanë vendosur tashmë kufizime të tyre tregtare ndaj produkteve nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!