Bashkimi Evropian nuk ka treguar për përmbajtjen e saktë të bisedimeve në takimin e së hënës, mes Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiqit. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Peter Stano ka thënë se nuk mund të japë detaje të përmbajtjes së diskutimit pasi që procesi është në zhvillim e sipër, përcjellë Gazeta Sinjali.
Pas marrëveshjes për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar të hënën në Bruksel për të vazhduar bisedimet e fundit mes tyre të datës 16 korrik.
Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak pas takimit ka deklaruar se pjesë e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme kanë diskutuar edhe për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e pretendimeve dhe pronave të përbashkëta financiare mes dy shteteve.
“Si pjesë e negociatave për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, ne gjithashtu kemi diskutuar për herë të parë për planet për komunitetet joshumicë dhe gjithashtu për zgjidhjen e pretendimeve dhe pronave të përbashkëta financiare. Ky ishte një shkëmbim i parë që na lejoi t’i përcaktojmë hapat e ardhshëm në diskutimet tona. Takimi ynë i ardhshëm do t’u kushtohet këtyre dy temave”, deklaroi Lajçak pas takimit.
Megjithatë për temat e diskutimit nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje mbi përmbajtjen.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se për momentin nuk mund të japë detaje të përmbajtjes së bisedimeve pasi që procesi është në zhvillim e sipër.
“Ne nuk japim detaje mbi përmbajtjen e diskutimeve pasi që ky është një proces që është në zhvillim e sipër. Gjithçka që mund të themi është thënë nga z.Lajçak në deklaratën e tij për media pas takimit”, thuhet në përgjigjen e tij.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit të 7 shtatorit tha se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit deklaroi se çështja kryesore që është diskutuar ka qenë tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe formimi i tij i cili është vonuar tash e 7 vjet e gjysmë.
Emisari Special i Presidentit Donald Trump, Richard Grenell pas marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ka deklaruar se çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk është diskutuar në Washington DC pasi për të njëjtën do të diskutohet në Bruksel nga evropianët.
Takimi i radhës i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kryeqytetin evropian do të mbahet më 28 shtator dhe temat që do të diskutohen janë komunitetet joshumicë dhe pretendimet mbi pronat e përbashkëta financiare.
Takimit të nivelit të lartë do t’i paraprijë takimi në nivelin e ekspertëve i cili do të zhvillohet javën e ardhshme.
Palën kosovare e përfaqëson Koordinatori shtetëror për dialogun Skender Hyseni, ndërkaq atë serbe Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. /Gazeta Sinjali/