image BE i bën thirrje Kosovës që ta liberalizojë tregun energjetik

Kosovë

BE i bën thirrje Kosovës që ta liberalizojë tregun energjetik

news image

Institucioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE), Komisioni Evropian (KE), thërret Kosovën që ta liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë, për t’u dhënë konsumatorëve vendorë të drejtën e lirë për të zgjedhur furnizuesin e tyre, meqë aktualisht kompania KEDS e mban monopolin në këtë sektor.

Ndërkaq, institucionet e Kosovës tashmë e disa vite janë zotuar për të bërë liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, në kuadër të zotimeve që kanë bërë përballë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë – me seli në Lubljanë – e i formuar nga BE për vendet e Evropës Jug-Lindore.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian tha për agjencinë e lajmeve dtt-net.com, se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra edhe për energjinë elektrike me pakicë.

“Liberalizimi i tregjeve të energjisë elektrike me pakicë e rrit konkurrencën dhe inovacionin, e siguron lirinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe i fuqizon ata që të marrin pjesë aktive në tranzicionin e energjisë, përderisa masat zbutëse janë të mundshme për të mbrojtur konsumatorët në vështirësi dhe për të trajtuar varfërinë energjetike.”

Prandaj, vazhdojmë që të inkurajojmë Zyrën e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRrE) që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë”, tha Pisonero për dtt-net.com.

Një thirrje të tillë drejtuar qeverisë së Kosovës së fundi kanë pasur edhe partitë opozitare, përderisa Qeveria e Kosovës dhe ZRRE deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet./GazetaSinjali/