Përfaqësuesja e banorëve të Qendrës së Prishtinës, Violeta Hasani, ka folur rreth çmimeve të parkingjeve publike, shkruan Gazeta Sinjali.
Hasani është shprehur se kostoja e çmimeve të parkingjeve publike është shumë e lartë për banorët dhe se ata po kërkojnë kosto më të ulët nga Komuna e Prishtinës.
“Fillimisht kur e kam parë, nuk e kam pritur mirë. Kostoja e çmimores ka qenë e lartë, sipas kërkesave të banorëve. 30 euro për dy vetura është shumë shtrenjtë. Kemi dalë edhe me protestu për këtë çështje. Banorët nuk janë të kënaqur dhe mua si përfaqësuese, është dashur të më lajmërojë Komuna. Shumë mirë precizohen nga ligji në bashkëpronësi, zonat kolektive i përfaqësojnë banorët, ato publike nga Komuna. Banorët po kërkojnë që kostoja e parkingjeve të ulët”, vazhdoi Hasani në Kohavision.
Problem tjetër për banorët e Qendrës është edhe zhurma nga kafenetë e ndryshme, të cilat janë të shumta në numër, por që sipas saj, zhurma e kafeneve është rregulluar përveç 3 të tillave.
“Janë disa kafene, më përpara kanë qenë më të zhurmshme, tash i kemi 3 kafene që po i vështirësojnë jetën qytetarëve. As na nuk jetojmë për me ia prish biznesin e këtyre, por as ata nuk duhet me na prish jetesën tonë. Ne i kemi parasysh të gjitha vështirësitë e të jetuarit në Qendër, por edhe bizneset duhet ta dinë që ka fëmijë, të moshuar nëpër banesa. Pas takimit me Policinë, nënkryetarin e Komunës, drejtorinë e Inspeksionit, nga 30 lokale të zhurmshme, tash kemi vetëm 3. Komuna nuk mundet me ndalë këtë muzikë, pasi prapa kafeneve qëndrojnë njerëz të fortë të politikës”, deklaroi ndër të tjera ajo.
Hasani në fund ka thënë se problemi me qentë endacak i takon nivelit qendror dhe jo atij komunal./Gazeta Sinjali/