Në kohën kur uji është tejet i domosdoshëm, banorët e lagjes ‘Mati 1”, konkretisht rruga ‘Shaqir Igrishta’, po ankohen për mungesë të ujit.
Banorët e kësaj pjese të kryeqytetit thonë se e kanë të pamundur të mbajnë higjenën dhe sipas tyre edhe përkundër se rastin e kanë lajmëruar te organet kompetente, reduktimet e ujit po vazhdojnë.
Për këtë çështje, Gazeta Sinjali ka marrë një përgjigje nga KRU ‘Prishtina’. Zëdhënësja e ujësjellësit, Arjeta Mjeku, tha se nuk po aplikojnë reduktime.
“Në zonën në fjalë, presionet e ujit në rrjet janë brenda brezit të presionit që kërkon ARRU me kushtet minimale të furnizimit. Reduktime nga ana jonë nuk ka, ngase nuk jemi duke aplikuar ndonjë reduktim. Shperndarja e ujit po bëhet në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit”, tha Mjeku për Gazetën Sinjali.
Më tej, ajo bëri apel për shpenzim racional të ujit, ngase siç tha ‘konsumi i ujit është rritur dukshëm’.
Ndërsa, banorët kanë bërë të ditur se për këtë problem e kanë njoftuar edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin. /Gazeta Sinjali/