Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të siguruesve.
Sipas BQK-së, kjo është bërë me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit të sektorit të sigurimeve.
“Kjo rregullore përcakton kriteret dhe kufizimet për menaxhimin e komisioneve dhe shpenzimeve për siguruesit jojetë, si dhe përcakton nivelet e lejuara të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimet operative. Zbatimi i kësaj rregulloreje do të mbikëqyret nga BQK-ja në mënyrë të plotë përmes raportimit nga ana e siguruesve dhe mbikëqyrjes në vend. Kufizimi i shpenzimeve për komisionet e ndërmjetësimit dhe shpenzimeve operative do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori dhe rrjedhimisht në rritjen e kapaciteteve të siguruesve për të paguar dëmet ndaj palëve të dëmtuara”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Institucioni më i larë bankar në vend thotë se, miratimi i kësaj rregulloreje është në vazhdën e aktiviteteve të tjera të ndërmarra për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve./GazetaSinjali/