image Ballkani nis fazën e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, mirëpret në "Fadil Vokrri" skuadrën e Lincoln Red Imps

Futboll

Ballkani nis fazën e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, mirëpret në “Fadil Vokrri” skuadrën e Lincoln Red Imps

news image

Ballkani do të zhvillojë sonte ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Skuadra e vetme kosovare e mbetur në gara evropiane këtë edicion, do të mirëpresë sonte në “Fadil Vokrri” skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, me fillim nga ora 20:45, shkruan Sinjali Sporti.

‘Portokallinjtë’ kaluan tutje në këtë raund pasi paraprakisht e ‘demoluan’ kampionin e Irlandës Veriore, Larne, me rezultat të përgjithshëm 7-1, duke fituar 3-0 në ndeshjen e parë në Prishtinë dhe 4-1 në ndeshjen kthyese në Irlandë.

Ballkani ruan kështu gjasat për një përsëritje të suksesit të edicionit të kaluar, duke bërë pjesë në fazën e grupeve.

Klubi suharekeas edicionin e kaluar u bë skuadra e parë në histori të futbollit kosovar që arrin në fazën grupore të një kompeticioni madhor evropian.

Nëse e kalon pengesën e skuadrës së Gjibraltarit pas dy ndeshjeve, Ballkani do të luajë ndeshjen deçizive të “Play-Off”, për ta kuptuar fatin nëse do ta përsërisë suksesin e sezonit të kaluar.

Me kalim potencial tutje, Ballkani në “Play-Off” do të ndeshej me humbësin e duelit Sheriff Tiraspol dhe Bate Borisov.

Skuadra moldave, Sheriff konsiderohet si favorite në këtë duel mes tyre dhe gjasat janë që Ballani të përballej me skuadrën bjelloruse, Bate Borisov.

/GazetaSinjaliSport/