Skuadra e Ballkanit ka arritur të marrë një fitore të madhe në udhëtim ndaj skuadrës së Shkupit.
Dy skuadrat shqiptare luajtën ndeshjen e parë të fazës finale të “Play-Off”, për një vend që të dërgon në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Suharekasit fituan me përmbysje pasi ata fillimisht u ndodhën në disavantazh.
Shkupi zhbllokoi sfidën në minutën e 19-të me anë të sulmuesit Sunday Adetunji.
Gëzimi i vendasve zgjati vetëm katër minuta, pasi Ballkani barazoi shifrat në minutën e 23-të me anë të sulmuesit Albion Rrahmani. Me rezultatin 1-1 u mbyll pjesa e parë.
Goli fitues i ndeshjes erdhi nga mesfushori sulmues, Meriton Korenica i cili e ‘bombardoi’ portën e portierit kundërshtar, duke realizuar në minutën e 67-të.
Ballkani merr kështu një rezultat tejet pozitiv në ndeshjen e parë, me ndeshjen kthyese që do të zhvillohet më 25 gusht në “Fadil Vokrri”.