image Balaj-Halimaj tregon se cilat marrëveshje do të nënshkruhen me Shqipërinë

Kosovë

Balaj-Halimaj tregon se cilat marrëveshje do të nënshkruhen me Shqipërinë

news image

Në javën e tretë të shtatorit do të mblidhen qeveritë e dy shteteve shqiptare në Shkodër, pas dy viteve mungesë. Kosova dhe Shqipëria pritet t’i nënshkruajnë disa marrëveshje të përbashkëta. Nga tri prej tyre, Kosova mund të përfitojë mjaft shumë nëse zbatohen në praktikë. Dogana e Kosovës në Durrës, hidrocentrali në territorin shqiptar dhe linja hekurudhore po vlerësohen si çështje të dobishme për dy vendet.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh koordinatorja për mbledhjet e dy qeverive, Albulena Balaj-Halimaj ka thënë se marrëveshjet që do të nënshkruhen do të jenë në interes të dy palëve.

“Do të ketë marrëveshje të cilat janë në interes të dy palëve. Ato të cilat ndoshta janë më pak gjigante se të tjerat janë Dogana e Kosovës, linja hekurudhore dhe është hidrocentrali që mendohet të ndërtohet në Shqipëri, e që do të jetë funksional për Kosovën. Përveç këtyre do të ketë edhe marrëveshje të tjera. Tashmë ministritë veç kanë filluar të dorëzojnë draft-marrëveshjet”, ka thënë ajo.

Zbatim konkret të këtyre marrëveshjeve po kërkojnë njohësit e fushës së ekonomisë në Kosovë.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se këto projekte të përbashkëta do ta lehtësojnë̈ qarkullimin e qytetarëve, mallrave si dhe do të rrisin profitet e bizneseve.

Po ashtu, ai thekson se duhet kombinuar resurset energjetike mes të dy vendeve.

“Nëse ka një diskutim jo me ngarkesë politike, por të nivelit teknik dhe nivelit përmbajtjesor, mundemi të jetësojmë disa prej ideve të moçme që kanë qenë e që janë të domosdoshme. Hekurudhat që do të rriste vlerën e Portit të Durrësit, këtë qarkullimin që e ka tani me transportin rrugor nuk e ka vlerën sepse është kosto më e madhe. Mirëpo me transportin hekurudhor sigurisht se do të ishte një vlerë e shtuar për ekonominë e të dyja vendeve. Në të njëjtën kohë edhe hidrocentrali, ne kemi nevojë t’i kombinojmë burimet energjetike për ta rritur atë që njihet si rezervë në sistem që i ndihmon stabilitetit të furnizimit. Në këtë drejtim them se duhet të shtohet mundësia që Shqipëria të investojë në një termocentral në Kosovë, apo dy qeveritë të investojnë në një termocentral, pastaj do të ishin kombinuar resurset, sidomos kur e kemi këtë rrjetin energjetik në funksion”, u shpreh ai.

Ndërkaq profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku vlerëson se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm.

“Burimet energjetike në Shqipëri janë tërësisht nga uji, ndërsa nga Kosova janë nga thëngjilli. Nëse kërkohet ndonjë këmbimin mes Kosovës dhe Shqipërisë të shohim sa është kjo racionale. Por ajo që dihet është se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm”, thotë ai.

Kosova dhe Shqipëria edhe në të kaluarën kanë mbajtur mbledhje të përbashkëta ku janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, ndonëse disa prej tyre nuk kanë gjetur zbatim konkret në të dy vendet. /Gazeta Sinjali