Pas publikimit të videso së Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën akuzohet LDK-ja për qasjen në ekonomi, ka reaguar deputetja Hykmete Bajrami.
Në një prononcnim për Gazetën Sinjali ajo ka deklaruar se videot nga partia në pushtet – sipas saj – nuk i mbulojnë skandalet e qeverisë.
Sipas Bajramit, paniku i humbjes dhe dështimeve të qeverisë po i shtynë të krijojnë video për të sulmuar LDK-në.
Madje ajo ka adresuar disa pyetje për qeverinë, për çka thekson se partia në pushtet s’ka asnjë përgje për to.
“Videot nuk mbulojnë dështimet e skandalet e Qeverisë, jepni përgjigje për këto tema: Kur do të shkarkohet e japë llogari Martin Berishaj për transaksione me miliona euro? Kur do të shkarkohet zëvendësministri i përfshirë në afera korruptive? Pse nuk u ndërtuan 160 çerdhe për dy vite qeverisje dhe kur do të ndërtohen? Pse nuk e keni zbritur çmimin e TVSH-së për qumështin, vajin, sheqerin dhe produktet tjera elementare? Çka ndodhi me mostrat e humbura në institucionin që është nën Ministrinë e Drejtësisë? Pse Kryeministri ia rriti pagën vetes, ministrave, zëvendësministrave dhe kabineteve? Pse partia në pushtet e ka lënë shtetin me ushtrues detyre nisur nga Kryeprokurori, Shefi i Policisë etj? A ka një premtim që ka mbajtur partia në pushtet? Partia në pushtet s’ka asnjë përgjigje për këto dhe shumë tema të tjera, prandaj, nga paniku i humbjes dhe dështimeve po krijon video për të sulmuar LDK-në”, ka thënë Bajrami.
“Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, është titulli i videos së re që u publikua nga Lëvizja Vetëvendosje. Partia në pushtet ka akuzuar partinë opozitare për qasjen e saj në ekonomi.
Sipas VV-së, LDK-ja ka tentuar ta shkatërronte sistemin pensional në Kosovë, duke e krahasuar me shkatërrimin serb. Ndërsa, LVV-ja në video ka përmendur edhe uljen e tatimeve dhe rritjen e pagave.