image Avokati i Popullit paditë KQZ-në për shkak të zgjedhjeve të 6 tetorit

Kosovë

Zgjedhje/ Avokati i Popullit paditë KQZ-në për shkak të zgjedhjeve të 6 tetorit

news image

Avokati i Popullit i ka parashtruar Gjykatës Themelore në Prishtinë (GjThP), gjegjësisht Departamentit të Përgjithshëm, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, “KQZ-ja i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga gjykata që të vendosë se KQZ ka shkelur të drejtët e grave  në pjesëmarrje në zgjedhje.

“Së këndejmi, në përmbushje të mandatit që ka, Avokati i Popullit, si institucion i barazisë sipas Ligjit për Barazi Gjinore dhe si institucion me kompetenca të përcaktuara edhe me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, i është drejtuar GjThP-së me padi kundër KQZ-së, duke kërkuar nga gjykata që të vendosë se: 1. Sjellja e KQZ-së e ka shkelur të drejtën për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

2.Të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

3.Ta publikojë në media vendimin i cili vërteton shkeljen e së drejtës për trajtim të barabartë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për media nga Avokati i Popullit./Gazeta Sinjali/