Avokatët e një informatori, ankesa e të cilit nxiti nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, thanë se fjalët e Trumpit po e rrezikojnë klientin e tyre.
Qëkur është zbuluar transkriptimi i bisedës së tij telefonike me presidentin e Ukrainës, javën e kaluar, Trump ka kërkuar që informatori anonim të bëhet publik.
Letra nga ekipi ligjor i informatorit – në të cilin avokatët i kushtojnë vëmendje gjuhës së Trumpit – iu dërgua ushtruesit të detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Joseph Maguire.
“Ngjarjet e javës së kaluar i kanë ngritur shqetësimet tona se identiteti i klientit tonë do të zbulohet publikisht dhe se, për pasojë, klienti ynë do të vihet në rrezik”, shkroi avokati Andrew Bakaj.
Letra përmend në mënyrë specifike thirrjen e Trumpit që informatori të identifikohet, ashtu si edhe personi që i ka dhënë atij informacione për bisedën me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Letra citon Trumpin të ketë thënë:
“Dua të di se kush është personi që i ka dhënë informacione informatorit, sepse ai mund të krahasohet me një spiun. Ju e dini se çfarë kemi bërë në ditët e lashta, kur kemi qenë të zgjuar? Apo jo? Me spiunë dhe tradhti? I kemi trajtuar pak më ndryshe sesa tani”.
Letra gjithashtu përmend 50,000 dollarë që dy mbështetës konservatorë të Trumpit i kanë ofruar si “shpërblim” për informacione rreth informatorit.
Informatori ka zbuluar se Trump i ka kërkuar Zelenskyt të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe djalin e tij.
Kjo bisedë telefonike është tani në qendër të hetimeve që kanë nisur demokratët e që mund të përfundojnë me largimin e presidentit nga zyra.
Por, për të ndodhur një gjë e tillë, edhe anëtarë të Partisë Republikane të presidentit do të duhet të kthehen kundër tij.
Demokratët kanë thënë se informatori do të dëshmojë para Kongresit “shumë shpejt”, pasi të merren hapat e nevojshëm për mbrojtjen e identitetit të tij. /Gazeta Sinjali/