image Avni Dehari kërkon të vihen para drejtësisë të gjithë ata që kanë gisht në vdekjen e djalit të tij

Kosovë

Drejtësi/ Avni Dehari kërkon të vihen para drejtësisë të gjithë ata që kanë gisht në vdekjen e djalit të tij

news image

Babai i Astritit, Avni Dehari, ka kërkuar drejtësi për vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që sipas tij, kanë gisht në vrasjen e të birit.

Ai ka thënë se prej 5 nëntorit të 2016-ës kur vdiq djali i tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren e deri pak ditë më parë, organet shtetërore, përfaqësuesit e drejtësisë dhe pushtetarët siç tha, të papërgjegjshëm e kriminelë, kanë bërë përpjekjeje që t’ua mbushin mendjen se Astriti është vetëvrarë.

“Me ardhjen e raportit të ekspertëve të Zvicrës, konstatimi se Astriti është vrarë ka marrë fund. Tash janë të shtrënguar ta pranojnë se deri dje e kanë pasur plotë gojën për vetëvrasje. Në këtë raport, faza e parë e betejës, përgjegjësitë për vrasjen e Astritit, kanë ngadhënjyer dhe tash është faza e dytë e betejës për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të tërthortë kanë marrë pjesë në vrasjen e birit tonë”, ka thënë Dehari.

Prindi i të ndjerit e ka bërë këtë koment në aktivitetin homazh që u mbajtë sonte në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë ku qytetarë të shumtë ndezën qirinjë në nderim të Astrit Deharit duke u solidarizuar me dhimbjen e familjes Dehari.

Këtij aktiviteti simbolik i është bashkuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Jeta Berisha nga grupi “Unë jam Astriti”, ka thënë se “mbrëmja e sotme le të jetë aktiviteti ynë i parë për t’ua bërë me dije institucioneve revoltën dhe zemërimin tonë për mos zbardhjen e rastit të Astrit Deharit për tri vjet rishtas.

“Publikimi i gjetjeve të raportit të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës i ka dhënë të drejtën kërkesës së familjes Dehari për hetim të ri për rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së dhunshme të Astritit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, raporti rrëzon hipotezën e ngritur për vetëvrasje nga prokurori i rastit dhe bënë thirrje për hetim të ri, duke përfshirë hetimin e personave të tjerë për vrasjen e tij.

“Caktimi i grupit të ri hetimor kredibil si dhe bartja e rastit nga prokuroria themelore e Prizrenit, në Prokurorin Speciale të Kosovës -Shkarkimi dhe hetimi i të gjithë personave përgjegjës, në zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Drejtësisë Ligjore si dhe fillimi i menjëhershëm i një hetimi të ri, kredibil, transparent, të pavarur dhe profesional mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astritit. Si dhe hetimin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit kryesor të rastit, Naser Makolli. Astrit Dehari është kthese për drejtësinë në Kosovë”, ka shtuar më tej ajo.

Berisha ka njoftuar se më 5 nëntor në orën 12:00 nga sheshi “Skënderbeu” do të mblidhen për të marshuar për të kërkuar drejtësi për Astrit Deharin i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016../Gazeta Sinjali/