Anëtari i kryesisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti e ka quajtur totalisht të panevojshme letrën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai në Rubikon të KTV-së tha se letra e sotme e Vetëvendosjes përmban një narrativ të panevojshëm dhe të papërshtatshëm.
“Kjo letër është kthim prapa sepse ne kemi punuar bashkë si parti opozitare. Para se të hymë në fushatë kemi pasur takime dhe kemi krijuar relacion se si duhet të punojmë bashkë. Unë për dy vite, jam munduar dhe kam gjetur bashkëpunim të mirë nga ana e Konjufcës. Plotë iniciativa që kanë qenë kundër interesit të Kosovës ne i kemi parandaluar”, ka thënë ai, duke e përmendur ndaljen e iniciativës për zhbërje të Gjykatës Speciale.
Hoti thotë se gjatë opozitës e kishin ndërtuar një komunikim korrekt, duke shtuar se të njëjtën e bënë edhe gjatë fushatës e pas fushatës.
Ai thotë se duke pasur parasysh këtë bashkëpunim, forma e komunikimit me letra është e papërshtatshme.
“Nuk jemi duke e marrë shumë seriozisht këtë letër, jemi duke e konsideruar që nuk është shumë zyrtare. Ai në letër nuk përgjigjet askund për ofertën që e kemi bërë dje”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/