image "Asnjë ma shumë", sonte kujtohet Sebahate Sopi, gruaja që u vra nga burri i saj në Prishtinë

Sociale

“Asnjë ma shumë”, sonte kujtohet Sebahate Sopi, gruaja që u vra nga burri i saj në Prishtinë

news image

Sonte, duke filluar nga ora 18:00 mbahet manifestim i heshtur përkujtimor për Sebahate Morina – Sopin, e cila më 14 mars dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Lulëzim Sopi, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky manifestim do të organizohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para objektit të Qeverisë së Kosovës dhe gjithandej.

“Vrasja e Sebahate Morinës dhe vrasjet tjera të grave, nuk janë incidente, por raste të femicidit dhe kulmimit të dhunës sistemike ndaj vajzave dhe grave në Kosovë. Sebahatja u vra sepse ishte grua”, ka shkruar avokatja dhe aktivistja, Rina Kika, e cila është organizatore e këtij manifestimi.

Kika ka thënë se kjo vrasje ishte e parandalueshme, ashtu si edhe rastet e mëparshme, në të cilat viktimat i kishin denoncuar paraprakisht vrasësit e tyre për ushtrim të dhunës.

“11 ditë para se Lulëzim Sopi ta vriste Sebahaten, e bija e saj kishte denoncuar Lulëzim Sopin për ushtrim të dhunës fizike ndaj Sebahates”, tha ajo, duke shtuar se kjo nuk ishte hera e parë që Lulëzimi ishte denoncuar për dhunë në familje.

Gazeta Sinjali ka raportuar ditën tragjike se Lulëzim Sopi ishte denoncuar të paktën tri herë për veprën penale “dhunë në familje”.

Në vitin 2019, ai kishte qenë në paraburgim për këtë vepër, ndërsa Sebahatja kishte pasur urdhërmbrojtës nga ish-bashkëshorti i saj deri në dhjetor të vitit 2020.

“Këto fakte, që tregojnë një histori të dhunës së ushtruar nga dorasi ndaj viktimës, do të duhej të ishin të mjaftueshme që Prokuroria e Shtetit të ndërmerrte veprime për mbrojtjen e jetës së Sebahates dhe ndjekjes së veprës penale të dhunës në familje. Në vend të kësaj, Prokurori i Shtetit është arsyetuar se Sebahatja nuk ka shprehur gatishmëri për vazhdim të rastit dhe ka refuzuar të vijë për një intervistë të dytë sqaruese”, ka shkruar tutje avokatja Kika.

Ajo thotë se faji për dështimin e mbrojtje së Sebahates dhe rrjedhimisht vrasje së saj, sipas Kikës, bie kryekëput mbi Prokurorinë Themelore në Prishtinë, përkundër përpjekjeve për t’i ikur përgjegjësisë përmes fajësimit të viktimës, duke u thirrur në atë se Sebahate Morina nuk e kishte raportuar vet rastin në polici dhe nuk kishte kërkuar ndihmë mjekësore gjatë intervistimit.

“Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe për shkak të masave parandaluese që kanë mbyllur viktimat me dhunuesit e tyre, në Kosovë kemi parë një rritje masive të rasteve të raportuara të dhunës në familje. Vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2020, janë raportuar 2,000 raste më shumë se në vitin 2019. EDHE SA THIRRJE TË HUMBURA? Ne themi, ASNJË MA SHUMË.”

Në fund Kika fton qytetarët të bashkohen në këtë manifestim para ndërtesës së qeverisë ose edhe nëpër ballkonet e banesave/shtëpive të tyre, siç tha ajo, për të shprehur pikëllimin dhe mllefin, duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të Sebahate Morinës, por edhe për të kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës që si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë.

“Për të shmangur grumbullimet, ftoheni të përkujtoni Sebahaten dhe të mos qëndroni më shumë se disa minuta. Ju lusim t’i respektoni rregullat e distancimit social dhe të mbani maskë në përputhje me rekomandimet e IKSHPK dhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka përfunduar ajo./Gazeta Sinjali/