Deri më tani, asnjë grua e burgosur në qendrën korrektuese në Lipjan nuk është infektuar me koronavirus.
Kështu bëri të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan janë të burgosura 35 gra. Deri në këto momente, asnjë e burgosur nuk është e infektuar me koronavirus”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së për Kohën.
Për më tepër, ky shërbim ka njoftuar se numri i të burgosurave aktualisht ka rënë, krahasur me periudhën para fillimit të pandemisë.
“Para pandemisë COVID-19 numri i të burgosurave ka qenë më i lartë, por asnjëherë nuk e ka kaluar numri 70. Para fillimit të pandemisë, numri i të burgosurave ka qenë 48. Tash janë vetëm 35.”
Ndërkaq, SHKK raportoi se gjendja shëndetësore e të burgosurave është e mirë. Madje, ato ishin angazhuar në qepjen e maskave kirurgjikale, të cilat tash përdoren në institucione korrektuese./GazetaSinjali/