Specializantët e Gjinekologjisë kanë reaguar në lidhje me një sulm fizik e verbal që ata thonë se ka ndodhur sot ndaj doktoreshës, Besa Kolloni.
Në emër të specializanteve, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar Gent Sopa, i cili tha se shprehin indinjatën e thellë për sulmin ndaj koleges së tyre, që siç thonë ata, e ka bërë një asamblist i Kuvendit Komunal të Dragashit, bashkë me babin e tij.
“Në emër të specializantëve të Gjinekologjisë dhe emrin tim personal, shprehi indinjatën tonë ndaj sulmit verbal e fizik drejtuar koleges sonë, Dr.Besa Kolloni, nga L.R dhe djali i tij G.R asamblist i KK Dragash, në vendin e punës, gjatë kohës së saj të pauzës.”
“Kur Dr. Besa ka lënë anash ngritjen e saj profesionale për të ndihmuar në vaksinimin e popullatës në komunën e Dragashit, asaj nuk i është ofruar as siguria minimale fizike e intelektuale gjatë ofrimit të shërbimeve”, thuhet në reagim.
Sopa thotë se është e dhimbshme dhe tragji-komike që personat përgjegjës për vaksinim në atë qendër, i mundësojnë një personi të tillë marrjen e vaksinës pas sulmit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
“Kërkojmë përkrahje institucionale e popullore, në kohën kur ka numër të limituar të vaksinave, është e turpshme t’i mundësohet vaksinimi kujtdo qoftë, pa marrë parasysh kapajdallëkun e pozitat politike që ai bartë.”
“Derisa ne si grup do të përkrahim edhe privatisht Dr Besën përgjatë procesit ligjor që tashmë është iniciuar, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse si Ministria e Shëndetësisë, Ministra Punëve të Brendshme, Oda e Mjekëve dhe tjera relevante, të ndërmarrin masat e duhura për këtë rast dhe hapa konkret drejt mos përsëritjes së rasteve të ngjashme”, shkruan tutje ai./Gazeta Sinjali/