Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se kalimi i Granit Xhakës në Romë ka dështuar, pasi pret që mesfushori shqiptar të jetë lojtar shumë i rëndësishëm në ekipin e tij këtë sezon.
Në fillim të verës u duk se mesfushori i Kombëtares së Zvicrës e kishte të shkruar t’i bashkohej Jose Mourinhos në klubin e Serie A, por javën e fundit u mësua se Arsenali i kishte bërë ofertë bindëse atij për ta mbajtur në Londër.
Xhaka u rikthye në stërvitje me topçinjtë pak ditë më parë dhe e luajti ndeshjen e parë përgatitore sot në humbjen 2:1 kundër Chelseat në Londër.
Ai e shënoi golin e vetëm të Arsenalit pasi u fut në lojën në fund të pjesës së parë nga stoli, për ta zëvendësuar të lënduarin Thomas Partey.
Duke folur pas ndeshjes, Arteta këmbënguli se Xhaka do të qëndrojë në Arsenal dhe se ai do të jetë lojtar kyç në ekipin e tij.
“Granit Xhaka do të qëndrojë me ne. Ai është lojtar kyç në ekipin tonë”, konfirmoi Arteta të dielën.
Besohet se Arsenali i ka bërë ofertë të re Xhakës, për një marrëveshje deri në vitin 2025 me pagë më të lartë. 28-vjeçari kishte arritur marrëveshje personale me Romën, por Arsenali nuk e ka pranuar ofertën prej 13 milionë eurove të gjigantit italian, pasi i kërkonte të paktën 20 milionë euro për shërbimet e tij. /GazetaSinjaliSporti/