Koordinatori i Qendrës për Numërim dhe Rezultate, Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se numërimi i votave të qytetarëve me kusht dhe të atyre me nevoja të veçanta nuk do të kryhet sot.
Ai ka bërë të ditur se QNR është në përfundim të fazës përgatitore të verifikimit të këtyre votave.
“Sa i përket procesit të regjistrimi të votave me kusht, jemi në procesin e fundit kur i bëjmë të gjitha kontrollimet dhe regjistrimet në bazën e të dhënave në mënyrë që të krahasohet me votuesit e rregullt para se të fillojë procesi i verifikimit të votuesve me kusht”, ka thënë Ahmeti gjatë raportimit para anëtarëve të KQZ-së, njofton Gazeta Sinjali.
Ai ka njoftuar se procesi i numërimit të votave me kusht dhe të qytetarëve me nevoja të veçanta do t`i marr disa ditë.
“Jemi në fazën e fundit të kontrollit dhe besojmë që gjatë këtyre ditëve do të kompletohet edhe ky proces dhe do të hapet rruga e votimit të votave me kusht dhe me nevoja të veçanta”, ka theksuar Koordinatori i Qendrës për Numërim dhe Rezultate, Burim Ahmetaj.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të numërohen gjithsej 24 mijë vota me kusht dhe rreth 2 mijë vota të personave me nevoja të veçanta.
Procesi i numërimit dhe i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 6 tetorit ka hyrë në ditën e 11-të ndërsa ky proces pritet t`i marr edhe disa ditë deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve./Gazeta Sinjali/