image Arsimtari i Teknologjisë dhe arsimtarja e Gjuhës Shqipe përleshen verbalisht në sy të nxënësve në Vushtrri

Kosovë

Incidenti/ Arsimtari i Teknologjisë dhe arsimtarja e Gjuhës Shqipe përleshen verbalisht në sy të nxënësve në Vushtrri

news image

Arsimtarja e Gjuhës Shqipe dhe arsimtari i Teknologjisë, të dy mësimdhënës në shkollën e mesme të ulët “Nazmi Zhegrova” në Stanovc të Poshtëm të Vushtrrisë, kanë pasur një përleshje verbale në sy të nxënësve dje në mëngjes.

Sipas arsimtares e cila e ka raportuar rastin në Polici, arsimtari ka hyrë në klasë kur ajo po e mbante orën mësimore dhe duke bërtitur, ia ka marrë me forcë ditarin e klasës. I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, version krejt tjetër jep arsimtari i Teknologjisë. Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri dhe drejtori i shkollës ku ka ndodhur incidenti, e dinë vetëm versionin e Policisë.

Policia në raportin 24-orësh ka njoftuar për raportimin e arsimtares, derisa ka njoftuar se rasti po hetohet si pengim ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës.

Ankuesja femër K-Shqiptare mësimdhënëse në shkollë fillore ka informuar se për deri sa ishte duke mbajtur orë mësimi, kolegu i saj i dyshuari mashkull K-Shqiptar ka hyrë në klasë duke bërtitur dhe më pas me forcë ka marr ditarin e klasës. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar“, thuhet në raportin e Policisë.

Por arsimtari i Teknologjisë, i cili nuk ka dashur ta tregojë emrin, ka thënë se rasti i djeshëm ka qenë thjesht keqkuptim, duke mohuar se është futur në klasë gjatë orës së mësimit. Ai pretendon se e ka pritur arsimtaren në korridorin e shkollës dhe se për këtë incident është sqaruar me burrin e saj.

Aty është ba një keqkuptim. Se unë kam fol me burrin e vet, dje e kena kry krejt, a po kupton. Ka qenë një keqkuptim aty. Kur kryhet ora, kur bjen zilja, duhet me dalë jashtë. Krejt ka ardhë puna me shënu një orë që e kam pasë punim praktik me nxënës se s’kam mujt me ardhë prej puntorisë me e shënu orën. S’është e vërtetë, bile burri i saj më tha hajde me pi kafe e sene se s’po e di për çka, s’di pse e paska thirrë. Hiç sen s’ka. E kena pritë me shënu orën që e kemi. Nuk e kam ndërhy në orë. Fjala është këtu rreth 10-15 minuta është dashtë me dalë jashtë ore. Është dashtë me dalë jashtë, jo me ndejt në orë. Kurrgjë s’ka pasë aty. E kam marrë ditarin, e kam shënu orën edhe kemi vazhdu me nxënësa në punëtori. Është marri me bisedu për këtë temë“, ka thënë arsimtari për Gazetën Sinjali.

Sipas arsimtarit të Teknologjisë, raportimi në Polici i arsimtares së Gjuhës Shqipe është i paarsyeshëm po aq sa “me të thanë ty, po ta thërras Policinë se s’i ki flokët e bardha“. Për rastin në Polici, ai thotë se “prej burrit të saj e kam marrë vesh“.

Ajo e ka raportu. Unë i thash burrit të saj “veç ma sqaro çka ka dashtë me Polici?”. Tha “vallahi nuk e di prof veç për këtë punë unë me ty po e kryj qetash edhe unë merrem me atë punë. E kena kry. Me arsimtaren e kemi lënë me pi kafe bashkë edhe me bisedu, por me burrin e vet e kemi kry dje. Ajo e ka kry orën e parë, e kemi pritë në korridor – sepse me rregulla ajo duhet me e dorëzu ditarin menjëherë. U kry pushimi i gjatë i orës së parë, prapë s’ka dalë, e ka blloku ditarin. U kry ajo, ka fillu ora e dytë, ajo prapë s’ka dalë. Dera çelë, e kam çu një nxënës tri herë, a po na jep q’atë ditar, t’u dalë ajo, e kam marrë, e kam shënu orën. Asaj nashta ju ka duk ku me ditë palidhje pse që e kam pritë te dera ashtu, po ajo s’ka të bëj kurrgjë more me të. S’kam mujt tash unë me marr ditarin në punëtori me shënu orën se s’kam të drejtë. Është marre me bisedu për atë punë, se ne çdo ditë kemi me shënu orë. Nuk ka të bëj me atë kurrgjë, se s’jam unë asi. Unë prej burrit të saj e kam marrë vesh që më ka raportu në Polici“, ka thënë arsimtari.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Afrim Namani, është i njoftuar vetëm me versionin e arsimtares, atë çfarë edhe njofton Policia për këtë incident.

Unë jam kontaktu edhe prej Policisë, edhe prej drejtorit të shkollës. Tash e kemi veç versionin e mësimdhënëses në fakt, se mësimdhënësin nuk po mundemi me e kontaktu. Dmth ajo ka qenë në orë, mësimdhënësi ka shku, edhe çka po di, çka ju ka dashtë ditari diçka – se tash pa e intervistu edhe atë nuk po mundem me e pasë komplet, se s’po mundem me e kontaktu, me e pyet se cila ka qenë arsyeja pse me lypë atë ditar, pse me hy në orë ashtu. E ka marrë ditarin. Mësimdhënësja qashtu qysh ka deklaru edhe në Polici është që ia ka kërku ditarin edhe kjo s’e ka lëshu, ai u mundu, megjithëse nuk ka pasë diçka kacafytje, veç verbale diçka. Nuk e di a kanë pasë mosmarrëveshje më heret ata, nuk e besoj. Me mësimdhënësen ka bisedu drejtori i shkollës, unë e marr informatën zyrtare prej drejtorit. Tash unë duhet me i pasë të dy versionet, edhe të këtij, edhe të asaj, edhe me e pa qysh me e procedu“, ka thënë Namani për Gazetën Sinjali.

Edhe drejtori i shkollës fillore “Nazmi Zhegrova”, Sami Zabërgja, ka thënë se i di vetëm informatat nga Policia, pasi që thotë se me vonesë është njoftuar për incidentin.

Të njëjtat informata i kam edhe unë. Me vonesë e kam marrë informatën për incidentin. Ashtu qysh është në raportin e Policisë. Në momentin kur e ka marrë Policia, më s’kam pasë çfarë të ndërhyjë. Dmth qato të njëjtat informata i kam. E ka pengu gjatë një ore mësimore, ia ka marrë ditarin sipas informatave. As unë nuk kam mundur të kontaktoj me arsimtarin. Diku kah fillimi i orës së dytë ai ka shku me disa nxënës me vizitu një mobileri edhe ai nuk është kthy më në shkollë. Nuk është arsimtar bazë i shkollës sonë, një ditë, dy i ka këtu. Është vetëm me plotësim të normës te unë“, ka thënë zabërgja.

Ai ka thënë se nuk ka komunikuar me arsimtarin për këtë rast, pasi vlerëson se “s’kam nevojë me komuniku me të sepse faktikisht ai e ka kry orarin dhe Policia është infomu dhe është marrë me ngjarjen“.

Të dy mësimdhënësit punojnë prej vitesh në shkollën fillore “Nazmi Zhegrova” në Stanovc të Poshtëm të Vushtrrisë. /Gazeta Sinjali/