Një mjeke është arrestuar në Pakistan me akuzën se vodhi një foshnje për t’ia dhënë tezes së saj që nuk kishte fëmijë. Vajza e vogël u mor menjëherë pas lindjes në një spital në Balochistan, në jug-perëndim të vendit.
Por fillimisht familja nuk ishte në dijeni të zhdukjes së fëmijës pasi mjekët nuk i treguan se nëna lindi binjakë.
Gjithçka u mor vesh kur nëna u zgjua dhe pyeti ku ishte vajza tjetër, tha kunati i saj Abdul Hamid për BBC News.
Hamid e kishte dërguar nënën Jamila Bibi në spitalin në Loralai.
Pas lindjes, familjes së Jamilas ju dorëzua vajza e vogël dhe i thanë ta merrnin në shtëpi pasi ishte bërë më mirë.
Megjithatë, nëna qëndroi gjysmë e ndërgjegjshme për dy ditë dhe foshnja me të cilën u kthye në shtëpi vdiq. Pasi mori veten, ajo zbuloi diçka që tronditi gjithë familjen. Jamila pyeti ku ishte vajza tjetër dhe askush nuk kishte një përgjigje.
Pasi u ngrit një padi në polici, u arrestua mjekja që qëndroi në detyrë në dhomën e lindjes kur erdhën në jetë binjaket.
Menjëherë mjekja i dërgoi oficerët tek foshnja.
Ajo ishte ndihmuar nga dy kolege të sajat për të nxjerrë fëmijën nga spitali dhe ja dha tezes së saj që kishte 17 vite e martuar por s’kishte lindur akoma fëmijë.
Policia arrestoi katër gratë, ndërsa familja u ribashkua me foshnjën./Gazeta Sinjali/