Drejtoria e Krimeve të Rënda në aksionin e djeshëm në komunën e Junikut në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë, ka arrestuar djalin e kryetarit të kësaj komune, Flamur Kuçi, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi pak më parë.
Sinjali nga burimet ka mësuar se i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje me zyrtaren e komunës së Junikut, Blerina Sallaj dhe aktivistë të tjerë të AAK-së kanë përgatitur materialin e sekuestruar nga Policia, që kishte destinacion diasporën.
Të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkaq, Blerina Sallaj është ndaluar për 48 orë nga prokuroria dyshohet për veprën penale “dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet”.
Sinjali nga burimet ka mësuar se Blerina Sallaj është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga Drejtoria e Krimeve të Rënda.
Megjithatë, burimet e Sinjalit thonë se ajo gojarisht ua ka rrëfyer të vërtetën Policisë që në kontaktin e parë në aeroport, kur u zu në flagrancë me materialet e sekuestruara.
Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?
Sallaj të premten ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.
Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.
Dje, Sinjali po ashtu raportoi se në Komunën e Junikut ka zbarkuar Drejtoria e Krimeve të Rënda, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/