image Arrestohen dy zyrtarë bankarë në Prishtinë, morën kredi 25 mijë euro pa dijeni të klientes

Siguri

Arrestohen dy zyrtarë bankarë në Prishtinë, morën kredi 25 mijë euro pa dijeni të klientes

news image

Janë arrestuar dy zyrtarë bankarë nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke ngarkuar një viktimë me kredi prej 25 mijë eurove pa dijeninë e saj, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Policisë, hetimet janë zhvilluar nga njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari i parë, në cilësinë e menaxherit bankar, dyshohet se ka tejkaluar autorizimet ligjore duke liruar mjete financiare në vlerë prej 24 mijë eurosh dhe ka urdhëruar kundërligjshëm një zyrtar tjetër që të kryejë transaksionet.

Ndërkohë, i dyshuari i dytë, në cilësinë e analistit bankar, dyshohet se ka ekzekutuar urdhrin verbal duke transferuar 24 mijë euro nga llogaria e të dëmtuarës në dy biznese, nga 12 mijë euro për secilin.

Sipas Policisë, viktima paraprakisht ishte ngarkuar me kredi prej 25 mijë eurosh pa dijeninë e saj, ndërsa më pas kredia është proceduar edhe përmbarimisht.

“Pas veprimeve të kundërligjshme të të dyshuarve, kredia në emër të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore, e më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, edhe pse ky subjekt nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se në emër të saj është realizuar kredia prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro. Të dyshuarit e lartë cekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj. Të njëjtit janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me Aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përderisa hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim te zbardhjes së shumës prej njëzet e pesë mijë (25.000,00) euro”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/