Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shqipërisë, Ylli Vasili, ka reaguar publikisht në lidhje me pasojat e zjarreve në Shqipëri.
Vasili ka bërë të ditur se që nga data 25 korrik, janë arrestuar 15 persona si të dyshuar për zjarrvënie në Shqipëri.
Në deklaratën e tij për shtyp shkruhet se: “Nga DVP Vlorë janë arrestuar 7 persona, pasi kanë djegur sipërfaqe të ndryshme toke në fshatin Tragjas, në fshatin Gjorm, në Karaburun, Delisuf, Radhimë dhe në Sarandë, ndërsa 1 shtetas është shpallur në kërkim pasi ka djegur dy sipërfaqe me ullinj në fshatin Gjorm. Në Himarë janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë djegur sipërfaqe të pyllëzuara në fshatin Pilur dhe në fshatin Fterr”.
Deklarata e plotë:
Deklaratë për shtyp/Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili.
Në kuadër të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen si rezultat i zjarreve në fondin pyjor e kullosor përgjatë sezonit veror 2021”, strukturat e Policisë në të gjithë vendin janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin e zjarrvënies, evidentimin dhe arrestimin e personave që vënë zjarr qoftë në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore dhe kullosore.
Në vlerësim të situatës së krijuar nga zjarret, prej datës 25 korrik deri më datën 10 gusht 2021, si rezultat i punës hetimore të bërë nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në të gjithë vendin janë arrestuar 15 persona, janë proceduar penalisht 16 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 persona, konkretisht:
Nga DVP Vlorë janë arrestuar 7 persona, pasi
kanë djegur sipërfaqe të ndryshme toke në fshatin Tragjas, në fshatin Gjorm, në
Karaburun, Delisuf, Radhimë dhe në Sarandë, ndërsa 1 shtetas është shpallur në
kërkim pasi ka djegur dy sipërfaqe me ullinj në fshatin Gjorm.
Në Himarë janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë djegur sipërfaqe të pyllëzuara
në fshatin Pilur dhe në fshatin Fterr.
Nga DVP Fier janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, konkretisht 2 shtetas janë arrestuar për zjarrin e vënë në pyllin e fshatit Gjorgoz dhe në pyllin e fshatit Kreshpan, 1 shtetas është arrestuar një shtetas për zjarrin e shkaktuar në tokat në Fermë Çlirim, 1 shtetas është arrestuar për zjarrin e shkaktuar në pyllin e fshatit Corrush, Mallkastër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për zjarrin e shkaktuar në Mbrostar Ferko dhe 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në Lushnjë, për zjarret e shkaktuara në kodrat e fshatit Karbunarë.
Nga DVP Kukës është arrestuar një shtetas për
zjarrvënie në Malin e Gjallicës.
Nga DVP Lezhë është arrestuar 1 shtetas në Mirditë, për djegien e pyllit dhe
një sipërfaqeje me pemë frutore në fshatin Simon, Mirditë, janë proceduar 2
shtetas në Lezhë, pasi kanë djegur një sipërfaqe me ullinj dhe pyllin e fshatit
Mabë, Lezhë, si dhe 1 shtetas tjetër është proceduar në Kurbin, për djegien e
një sipërfaqe kullote, ullinjve dhe pyllit në fshatin Zhejë, Kurbin.
Nga DVP Durrës është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht një
tjetër pasi kanë vënë zjarr në sipërfaqe toke, në lagjen nr. 15, Durrës dhe në
fshatin Shetaj, Ishëm.
Nga DVP Korçë është proceduar penalisht 1
shtetas për zjarrvënie, pasi ka djegur një sipërfaqe pyjore prej 3 dynymë, në
fshatin Baçallëk, Pogradec.
Nga DVP Elbasan është arrestuar 1 shtetas, 1 është proceduar penalisht, si dhe
1 është shpallur në kërkim, konkretisht: është arrestuar 1 shtetas në Belsh,
pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Dëshiran, Belsh, 1 është
proceduar në gjendje të lirë pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin
Gradisht, Belsh dhe 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim pasi ka djegur
një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme në fshatin Xhyrë, Librazhd.
Nga DVP Gjirokastër janë proceduar 5 persona
për zjarrvënie, 1 shtetas për djegien e një sipërfaqe me vreshta në fshatin
Valare, 3 shtetas për djegien e pyjeve në Mashkullorë, Qesorat, Arshi Lengo në
Gjirokastër dhe 1 shtetas i proceduar për zjarrin në Dropull (Llovinë).
Në të gjithë vendin, strukturat e Policisë janë në terren duke bashkëpunuar me
qytetarët, pushtetin vendor, emergjencat civile dhe agjencitë e zbatimit të
ligjit, për të bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve
të zjarrvënieve në pyje e kullota.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. /GazetaSinjali/