image Armët ilegale po kërcënojnë sigurinë – mbi 1 mijë të konfiskuara vetëm vitin e kaluar

Siguri

Armët ilegale po kërcënojnë sigurinë – mbi 1 mijë të konfiskuara vetëm vitin e kaluar

news image

Policia e Kosovës në vazhdimësi ka konfiskuar armë ilegale nga qytetarët. Po thuajse çdo vit konfiskohen mbi 1 mijë armë pa leje, e ky numër i madh i armëve të cilat mbahen nga qytetarët po konsiderohet rrezik për sigurinë e popullatës, shkruan Gazeta Sinjali.  

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës ka treguar zyrtarisht numrat e konfiskimeve të armëve pa leje gjatë vitit 2021 dhe atij paraprak.

Sipas këtyre statistikave, gjatë vitit 2021 janë kapur 1 mijë e 280 armë të cilat janë konfiskuar nga qytetarët.

Nga këto të dhëna zyrtare, del të jetë i lartë edhe numri i municionit të konfiskuar ku në këtë periudhë kohore u kapën 42 mijë e 31 municion të kalibrit të ndryshëm.

“Gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1280 armë të llojeve të ndryshme dhe 42031 municion të kalibrave të ndryshme, ku policia ka arritur rezultate më të larta se vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Për këto shkelje të qytetarëve, Policia e Kosovës thekson se në vazhdimësi janë marrë veprime për të parandaluar aktivitetet e kundërligjshme.   

“Policia në vazhdimësi ka ndërmarr veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme”, thuhet në mes tjerash në përgjigjen e PK-së.

Në statistikat zyrtare të PK-së është përfshirë edhe numri i të arrestuarve për vepra të ndryshme penale.

Sipas tyre, viti 2021 ka shënuar rritje të personave të arrestuar në gjithsejtë 15 mijë e 428 krahasuar sa ishin në vitin 2021 prej 13 mijë e 661 persona të arrestuar.

Ndryshe dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës. Ky kod parasheh gjobë deri në 7.500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

/GazetaSinjali/