Ish-kandidati për kryetar të Vetëvendosjes në Mitrovicë, Doni Beshiri, përmes një reagimi në Facebook ka treguar për ngjarjet e fundit që janë duke ndodhur në procesin e brendshëm zgjedhor dhe për përjashtimin e tij nga gara për kryetar.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Beshirin në lidhje me situatën e krijuar dhe për mos certifikimin e tij nga të apostrofuarit “grupacioni i krijuar në Prishtinë” që është duke marrë vendime arbitrare për të eliminuar nga gara kandidatë që kanë kontribuar me vite në Vetëvendosje.
Për Sinjalin, Beshiri është shprehur se situata në VV nuk i përngjan një demokracie që proklamohet nga vet partia dhe se janë evidentuar 17 deri në 19 eleminime nëpër komunat ku ka qendra VV-ja.
“Ajo se çfarë është duke ndodhur në këtë proces zgjedhor ndonjëherë më detyron të mendoj se jemi duke jetuar në Korenë e Veriut dhe jo në Kosovë. Kjo vetëm demokraci nuk mund të quhet. Sipas informacioneve që unë i posedoj, bëhet fjalë për 17 deri 19 eleminime apo përjashtime nga procesi zgjedhor. Të gjitha këto janë me prapavija dhe që po e lëndojnë demokracinë në Vetëvendosje”, tha për Sinjalin, Doni Beshiri.
E prapa krejt kësaj situate sipas tij qëndron një figurë e rëndësishme, kundërkandidati i Beshirit, Armend Muja.
“Armend Muja nuk ka qenë figurë e pranueshme nga qendra jonë në Mitrovicë, por me që kryeministri Kurti e kishte pranuar në parti, duke i ofruar edhe një privilegj në renditjen për deputet, ne është dashur ta përkrahim në zgjedhjet parlamentare”, thotë ish-kandidati për kryetar të qendrës së Mitrovicës, Doni Beshiri.
Sipas tij Muja e ka realizuar në përpikmëri skenarin e tij si koordinator në Mitrovicë, duke filluar nga krijimi i grupit punues për ta përgatitur terrenin për të ardhur sa më lehtë në krye të VV-së në këtë qytet.
“Armend Muja është zgjedhur nga Vetëvendosja për pozitën e koordinatorit. Ai e ka pasur për detyrë të strukturoj pikat e partisë në qytetin e Mitrovicës. Njerëzit që i ka zgjedhur, rrjedhimisht futur në pika janë të gjithë të afërt me të dhe sigurisht ata janë të ndëgjueshëm. Përveç kësaj ka bërë edhe shkelje statutore duke krijuar pika me 5-6 anëtarë”, thotë Beshiri.
Ish-kandidati për kryetar, Doni Beshiri, e sheh si problem dhe faktor të rëndësishëm në eliminimin e tij edhe binomin Faruk Mujka e Armend Muja. Sipas tij ky bashkim ka ardhur si pasojë e një premtimi që iu është bërë Mujkës nga Armend Muja.
“Gjatë ditëve në vazhdim do ta shohim edhe publikisht se Mujka do të punësohet në një ndërmarrje publike sepse ky është premtimi që Armend Muja i ka dhënë Farukit në këmbim të përkrahjes së tij për të ardhur në krye të Vetëvendosjes këtu në Mitrovicë”, tha Beshiri.
Armend Muja nuk llogaritet si person unifikues në Mitrovicë, sipas Beshirit. Për faktin se edhe vet motra e Mujës është në përkrahje të tij.
“Adelina Brahimi Muja është motra e Armendit. Në një takim që e kam pasur në një lagje të Mitrovicës gjatë javës së kaluar, ajo ka qenë e pranishme aty së bashku me burrin e saj. Pas përfundimit të takimit apo mbledhjes, ma ka komunikuar vendimin e saj se më përkrahë mua në garën për kryetar. Kjo është shenjë që Muja nuk e ka përkrahjen as të familjes së tij të ngushtë, e lëre më të anëtarësisë së Vetëvendosjes në Mitrovicë”, përfundon prononcimin e tij për Sinjalin, Doni Beshiri.
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktoj me deputetin Armend Muja, por komunikimi me të ka qenë i pamundur.
Rasti i Mitrovicës nuk është i vetmi në këto zgjedhje të brendshme sepse eleminimet me direktiva nga procesi zgjedhor ka pasur edhe në qytetet e tjera sipas burimeve të Sinjalit. Pas qendrës së Podujevës dhe Mitrovicës, ka dyshime të bazuara se një situatë e njëjtë është edhe në Ferizaj e Viti.