Kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për zgjatjen e orarit të lëvizjes gjatë ditës së zgjedhjeve në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, është aprovuar.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Është aprovuar kërkesa e KQZ-së që të zgjatet orari i lëvizjes në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, të cilat aktualisht janë në zonën e kuqe dhe masat kufizuese të lëvizjes fillojnë në orën 19:00. KQZ-ja ka kërkuar zgjatjen e orarit të lëvizjes edhe për të paktën dy orë të tjera për votuesit, ndërsa për aq sa do të jetë e nevojshme për stafin zgjedhor dhe vëzhguesit”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, të dielën (29 Nëntor), do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në dy komunat e Kosovës që tashmë janë në zonën me rrezikshmëri të lartë të përhapjes dhe infektimit me COVID-19./Gazeta Sinjali/