image Apeli ia zbut dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burrit nga Prizreni që vrau gruan me 14 plumba

Drejtësi

Apeli ia zbut dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burrit nga Prizreni që vrau gruan me 14 plumba

news image

Bajram Velija i akuzuari për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba, vitin e kaluar është dënuar me burgim të përjetshëm.

Mirëpo, ky vendim është ndryshuar nga Apeli, ku nga dënimi i përjetshëm atij i është zbutur dënimi me 25 vite burgim.

Sipas vendimit të Apelit, kolegji i kryesuar nga gjykatësja Afërdita Bytyçi është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren PKR.nr.13/20 i datës 01.10.2021, përkitazi me vendimin për dënimin, ashtu që për veprat penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.3 të KPRK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par 1. të KPRK-së për të cilat është shpallur fajtor Bajram Velija i shqiptohet dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 25, vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 06.08.2019 e tutje.

“Gjykata e Apelit gjeti si të bazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit se ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë se sa dënimi i shqiptuar ngase në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara shprehimisht nga neni 41 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Rasti ka ndodhur në Prizren më 6 gusht të vitit 2019, ku ka mbetur e vrarë Armenda Aliu Velija.

Si kishte ndodhur rasti?

“Me datë 06 gusht 2019, rreth orës 23:18 minuta në Prizren, i pandehuri B.V., me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij A.A.-V., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake që e kishte me bashkëshorten e tij, tash të ndjerën A.A.- V., e në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit “Pietro Beretta Gardone” model 92 PS, e kalibrit 9 X 19mm, dhe del nga shtëpia e tij, e në momentin kur e vëren viktimën – bashkëshorten e tij A….., i afrohet asaj, e drejton pistoletën në drejtimin e saj, shtënë 15 herë në drejtimin e saj, me ç ‘rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit duke filluar nga koka, qafa, gjoksi e deri në këmbë, nga goditja e predhave viktima rrëzohet për toke, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarje, ku pastaj i pandehuri viktimën e mbulon me një fustan të saj dhe e pret ardhjen e Policisë, – Kësodore ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 par. 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Deri me datë 6 gusht 2019, në Prizren, në shtëpinë e tij, i pandehuri B.V., në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armë, mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone” model 92 PS, e kalibrit 9 X 19mm, së bashku me dy karikator dhe 29 fishek, e me të cilën armë ka privuar nga jeta A.A –V., dhe 42 fishek të po atij kalibri, e të cilat gjatë kontrollit të Policisë me urdhër të Gjykatës janë gjetur në shtëpinë e të pandehurit, – Kësodore ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin (për veprat penale Vrasja e Rëndë Dhuna nga neni 173 par. 1 pika 1.3 , dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KP-së)“, ishte thënë në vendimin e Gjykatës.

/GazetaSinjali/