image Apeli i Speciales ua refuzon ankesat, Krasniqi e Selimi mbeten në paraburgim

Drejtësi

Apeli i Speciales ua refuzon ankesat, Krasniqi e Selimi mbeten në paraburgim

news image

Dy ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të vazhdojnë të mbesin në paraburgim, pas refuzimit të kërkesave të tyre për lirim.

Gjykata e bëri të ditur këtë duke ua rrëzuar ankesat e avokatëve të Krasniqit dhe Selimit.

Paneli i Apelit i përbërë nga tre gjyqtarë, ka thënë se lirimi i mundshëm nga paraburgimi në këtë situatë mund të ndikojë në procedurë, sidomos duke ditur faktin se ende nuk ka nisur gjykimi.

Apeli po ashtu ka cekur mundësinë e ndërhyrjes në procedurë, tentimin dhe ndikimin në dëshmitarë, manipulimin e provave apo argumenteve tjera të cilat janë ngritur nga Prokuroria e Specializuar.

Madje as garancitë e dërguara nga Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, nuk kryen punë. Megjithë letrat nga Policia, gjyqtarët kanë vendosur se rreziku për të ndërhyrë në procedurë është i mundshëm.

Ankesa në Gjykatën e Apelit për lirimin nga paraburgimi kanë bërë edhe Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, por vendimi ndaj tyre nuk është bërë publik.

Ish-krerët e UÇK-së që nga shtatori i vitit 2020 po qëndrojnë në paraburgim.

/GazetaSinjali/