Në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë po ka presion të madh që ankesat e bëra për kandidatët që kanë aplikuar për drejtorë të shkollave në këtë komunë të refuzohen. Kështu kanë bërë të ditur për Sinjalin burime brenda Komunës së Gjakovës.
Ankesat janë bërë për së paku dy drejtorë të shkollave, të cilët sipas këtyre burimeve nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret që duhet për të marrë pozitën e drejtorit.
Siç duket kjo nuk i ka bërë përshtypje drejtorisë së Arsimit, pasi dy kandidatët të cilët dyshohet nuk i kanë poseduar dokumentet e nevojshme për të udhëhequr me shkollat për të cilat kanë aplikuar kanë dalë fitues në këtë konkurs.
Madje në këtë proces, sipas burimeve të Sinjalit dyshohet edhe për nepotizëm.
Përveç parregullsive në aplikime, ankesa në DKA ka edhe për procesin e intervistimit të kandidatëve.
Gazeta Sinjali nesër do të ju sjellë edhe versionin e drejtorisë së Arsimit në këtë komunë lidhur me këtë konkurs.