image Anëtari i LDK-së në KQZ për moscertifikimin e Përparim Ramës: Është lëshim i Zyres për Certifikim, ai nuk ka faj

Politikë

Anëtari i LDK-së në KQZ për moscertifikimin e Përparim Ramës: Është lëshim i Zyres për Certifikim, ai nuk ka faj

news image

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk e ka certifikuar kandidaturën e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas një letre që kjo zyre ka dërguar në adresë të LDK-së, Rama ka aplikuar për certifikim me letërnjoftim të UNMIK-ut dhe jo me atë të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, nga kjo parti bëjnë të ditur bëhet fjalë për një lëshim teknik të Zyrës për Certifikim, pa fajin e Ramës.

Florian Dushi i cili është anëtar i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tha se Rama posedon dokumentacion të Republikës së Kosovës dhe i plotëson të gjitha kushtet ligjore për t’u certifikuar si kandidat për kryetar të Prishtinës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht Zyra për Regjistrim e Certifikim, është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike e kandidatëve për certifikim. Kjo është fazë e shqyrtimit, më pas do të pasojë vendimi përfundimtar i KQZ-së për certifikim. Në këtë fazë, lëshimet, sidomos ato teknike gjatë shqyrtimit nga ana e Zyrës janë të mundshme prandaj ekziston periudha dhe mundësia për evitimin e tyre.”

“Madje, në këtë rast, lëshimi ka ndodhur pa fajin e kandidatit Përparim Rama i cili, ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, është i lindur dhe i rritur në Prishtinë, posedon dokumentacion të Republikës së Kosovës dhe plotëson të gjitha kushtet ligjore për t’u certifikuar si kandidat për Kryetar të Prishtinës”, shkroi ai në Facebook./Gazeta Sinjali/