Tenori i madh, Andrea Bocelli, mbrëmjen e Pashkëve realizoi një koncert mahnitës, që u transmetua live në të gjithë botën, në një përpjekje për të dërguar ‘dashuri, shërim dhe shpresë’ në Itali në mes të krizës së koronavirusit.
Këngëtari italian i operës, 61 vjeç, ka përlotur shikuesit në mbarë botën, ndërsa 3.4 milionë kanë ndjekur koncertin e tij “Music For Hope” drejtpërdrejt në “YouTube” nga sheshi i boshatisur “Duomo” i Milanos.
Ndjekësit me ngarkesë emocionale e vlerësuan performancën e fuqishme të Bocellit si: “Prekëse, mahnitëse dhe madhështore!” Bocellit iu dha akses ekskluziv në katedralen e mbyllur aktualisht në Milano nga Kryeprifti, Imzot Gianantonio Borgonovo, dhe Kryetari, Giuseppe Sala, për koncertin e tij të bujshëm “Music For Hope”- Muzikë për shpresë.
Katedralja e Milanos aktualisht është e mbyllur në mes të pandemisë por ekskluzivisht hapi dyert e saj vetëm për Bocellin për ngjarjen e organizuar nga “Veneranda Fabbrica del Duomo” – një organizatë 600-vjeçare e cila mbikëqyr ndërtesën.
Për performancën e tij, Bocelli ishte i shoqëruar nga mizokanti i organos në katedralen Duomo, Emanuele Vianelli, ndërsa performonte “Ave Maria” dhe “Sancta Maria”.
Shikuesit nga e gjithë bota shkruan në mediat sociale me mirënjohje që Bocelli siguroi një nga shfaqjet e tij më ikonike deri më sot.
“Nuk mund të ndaloj lotët nga pamja e bukur dhe zemërthyer e Andrea Bocellit vetëm në Duomon e madh, me vetëm vendet bosh para tij. Ky moment në histori është i mrekullueshëm dhe plotësisht i trishtuar. Jemi me ty, Itali”, shkroi një person.
“Andrea Bocelli këndoi ‘Amazing Grace’ jashtë Duomos në Milano pak minuta më parë. Ishte magjepsëse”, shkroi një tjetër.
Dikush tjetër shkroi “’Amazing Grace’ e mahnitshme e Andrea Bocellit tani ishte një nga gjërat më të bukura që kam parë. E pabesueshme sa prekëse”.
Përpara shfaqjes së tij, Bocelli u paraqit solemn kur u fotografua në katedralen bosh. Tenori ishte pa audiencë për shkak të bllokimeve të Italisë dhe rregulloreve qeveritare përreth COVID-19, por pamjet u transmetuan drejtpërdrejt në kanalin e tij në YouTube.
Duke folur përpara performancës së tij, Bocelli tha: “Në ditën në të cilën ne festojmë besimin në një jetë që triumfon, unë jam i nderuar dhe i lumtur t’i përgjigjem me ‘Po’ ftesës së qytetit dhe katedrales Duomo të Milanos”. Ai shtoi: “Unë besoj në forcën e lutjes së bashku; Unë besoj në Pashkën e krishterë, një simbol universal i rilindjes për të cilën të gjithë – pavarësisht nëse janë besimtarë apo jo – me të vërtetë kemi nevojë tani. Falë muzikës, transmetuar live, duke bashkuar miliona duar të kapura kudo në botë, ne do të përqafojmë këtë zemër të plagosur të Tokës së plagosur.
Milano bujare, kurajoze, proaktive dhe e gjithë Italia do të jetë përsëri, dhe shumë shpejt, një model fitues, motori i një rilindjeje për të cilin shpresojmë të gjithë.
Do të jetë një gëzim për ta dëshmuar atë, në Duomo, gjatë festimit të Pashkëve i cili ngjall misterin e lindjes dhe rilindjes”.
Kryetari i bashkisë së Milanot, Giuseppe Sala, tha: “Jam i lumtur që Andrea ka pranuar ftesën tonë. Këtë vit, Pashka do të jetë shumë e ndryshme për të gjithë ne. Qetësia e gëzueshme që vjen zakonisht me këtë ditë, është trazuar shumë nga pandemia që ne po përjetojmë. Jam i sigurt se zëri i jashtëzakonshëm i Bocellit do të jetë përqafimi që na mungon këto ditë, një përqafim i fortë, special, i aftë për të ngrohur zemrën e Milanos, Italisë dhe botës”. /Gazeta Sinjali/