Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka pranuar se ende nuk e di nëse do të jetë në gjendje të llogarisë te Karim Benzema për ndeshjen e së enjtes kundër Athletic Bilbaos, duke iu referuar çerekfinaleve të Kupës së Mbretit.
“Ende nuk e di. Ai bënte punë individuale dhe ndihej mirë. Është diçka që duhet ta vendosim ende, por nuk kam ndërmend ta rrezikoj. Nëse është gati, do të mund të luajë, përndryshe do të hyjë një lojtar tjetër”, sqaroi trajneri në një konferencë për shtyp.
Ai dha një koment edhe për ndeshjen ndaj Athletic Bilbaos.
“Është një lojë shumë e rëndësishme për ne. Jemi shumë të emocionuar, e dimë se do të jetë e komplikuar dhe do të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme. Kemi luajtur kundër tyre shumë herë këtë sezon dhe mendoj se do të jetë një lojë shumë e ekuilibruar. Për të fituar në San Mames, duhet të bësh më të mirën”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali Sporti/